Shtëpitë e vjetra monument kulture, reliket e Tiranës së dikurshme
Si çdo kryeqytet i botës edhe Tirana ka një histori që flet për të. Të dhënat e historisë flasin për një qytet të themeluar rreth vitit 1614 nga Sulejman Pashe Bargjini, edhe pse emrin e saj e gjejmë të përmendet që në vitin 1418 në dokumentet e Venedikut. Tashme i kthyer në një metropol, si kryeqytet i Shqipërisë, Tiranës i duhen edhe pak vite që të festojë 100 vjetorin e shpalljes si kryqet, që u vendos si i tillë më 20 shkurt 1920 në Kongresin e Lushnjes. Dhe me këto vite histori që ka, kryeqyteti i Shqipërisë ka jo pak për të “treguar”.
Ekipi i Anadolu Agency (AA) ka kryer një vëzhgim në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për të risjellë në vëmendje, një pjesë të historisë së saj, shtëpitë e vjetra të kryeqytetit, që sot gëzojnë statusin e monumentit të Kulturës të Kategorisë së Parë. Do të rrëfejmë pikërisht për ato që i japin kuptim dhe vlerë këtij qyteti në aspektin historik. Janë pikërisht këto shtëpi mbi 100 vjeçare që kanë ndarë bashkë me qytetin të njëjtën histori.
E dhimbshmja e kësaj historie është se këto shtëpi të vjetra mbi 100 vjeçare nuk janë shumë që kanë mbetur në këmbë, dhe që mund ti rezistonin kohës. Shumë faktorë kane ndikuar që këto shtëpi sot të jenë të rralla. Shteti Shqiptar i ka shpallur Monumente Kulture të Kategorisë së Parë dhe të mbrojtur prej tij disa shtëpi të tilla. Konkretisht, disa nga shtëpitë më të vjetra që sot e gëzojnë këtë status si Monumente Kulture të Kategorisë së Parë janë: Shtëpia e Toptanëve, Shtëpia e Petrelasve, Shtëpia e Sali Shijakut, Shtëpia e Kazaneve, dhe ish-Godina e vjetër e Bibliotekës Kombëtare. Ndërsa edhe Shtëpia e Hutajve ka qenë pjesë e këtij mozaiku monumentesh, por që pas përfshirjes nga zjarri ajo pësoi dëmtime të shumta.
Shtëpia e Toptanëve është ndërtesa me e re krahasuar me shtëpitë e tjera. E ndërtuar në shekullin e XIX, shtëpia mban shume ngjarje historike që lidhen jo vetëm me fatin e Tiranes, por të të gjithë Shqipërisë. Jo shumë larg kësaj ndërtese qëndrojnë “Sarajet”, ndërtuar në vitin 1837. Sarajet ndryshojnë shumë nga ndërtesa e parë, në mënyrën e ndërtimit, ku kjo e dyta ka një stil sa Osman aq edhe Shqiptar. Nëse themi stil Osman, do të kishim parasysh kur vështrojmë mënyrën e përpunimit të drurit dhe objekteve të tjera prej tij, dhe disa pjesë të murit të bëra me harqe prej guri të gdhendur. Shkallet e drurit dhe mobilet padyshim i përkasin këtij stili, ashtu siç mund të themi edhe për çatinë. Nuk ka sesi te mos vërehen muret e trasha dhe odat e mëdha të pritjes. Si familje të mëdha patriarkale që kanë qenë familjet shqiptare duken edhe dhomat e gjera gjithmonë me një oxhak në mes dhe me dollapë të ngushtë.
Shtëpia e Petrelasve mund të themi që ka një ndryshim akoma edhe më të madh me dy të parat. Ndryshimi fillon si me arkitekturën e saj edhe me funksionin që ka pas në fillimet e saj. Por për të folur për këtë shtëpi nuk mund të mjaftohesh vetëm me historinë që dihet për ato. Një pllakatë që mezi lexohet, tregon që shtëpia është monument kulture. Porta e lartë e drurit me çengelat që varen të bëjnë prezantimin e parë me shtëpinë karakteristike të vjetër tiranase.
Pasi futesh brenda, përpara të del i zoti i shtëpisë me një fytyrë të buzëqeshur duke të shprehur mirëseardhjen. Ai quhet Mërgim Petrela, i cili aktualisht banon në këtë shtëpi së bashku me familjen e tij. I zoti i shtëpisë Mërgim Petrela ia nis e tregon plot me zell për historinë e shtëpisë së tij. Mërgimi tregon gjyshi i tij, Hamdi Petrela ishte personi që e bleu shtëpinë për tua lënë edhe sot e kësaj dite trashëgim kësaj familje. E veçanta e kësaj shtëpie është çatia e saj e cila shtrihet në 600 m katror e mbështetur mbi një kulm të vetëm, muret e trasha deri në 80 cm dhe fasada origjinale. Mërgimi tregon se ka arritur ta mbroje me fanatizëm dhe vështirësi mos prishjen e kësaj ndërtese edhe pse ajo mbrohej nga shteti.
“Këtë shtëpi e kemi të trashëguar nga të parët tanë e cila është mbi 150 vjeçare, një shtëpi ky nuk mungon stili Osman. Me ndërhyrjen e disa inxhinierëve u mundësua rehabilitimi i kësaj shtëpie ku çatia e shtëpisë mbeti origjinale dhe pjesët e tjera si fasada u rehabilituan. Në vitin 1978 u tregua një interes për këtë shtëpi dhe u vendos që të jetë Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e cila ka një çati me sipërfaqe afërsisht 600 metër katror, me një kulm të vetëm e cila ka një lartësi me 2 sheshe pushimi për të dalë lart.(në zonën e tjegullave). Në ndërtimin e kësaj shtëpie nuk janë përdorur gozhda, ku në vend të tyre janë përdorur cungalet të vendosura me kllapa. Kjo është një shtëpi e rrallë që mund të gjendet në rajonin e Tiranës për nga mënyra e ndërtimit dhe të fasadës ku ka një strehë gati 3 metra e 70 cm të lartë”- tregon Mërgim Petrela për Anadolu Agency (AA).
Ai tregon që janë mundur ta mirëmbajnë këtë shtëpi, dhe në vitin 1980 ka patur një ndërhyrje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ku u bë një restaurim i mureve anësore të cilat kanë një trashësi prej 80 cm me gurë dhe e gjithë fasadës. Petrela tregon për AA se në vitin 1991 kanë arritur të kontribuojnë vetë për këtë shtëpi ku dhe situatat ishin jo të favorshme në atë kohë për tu përkujdesur për këtë monument kulture. “Bashkë me vëllain tim i cili banon këtu patëm një mundësi për të bërë një ndërhyrje radikale. Në ditët e sotme ne jemi në kontakt me Bashkinë dhe Ministrinë e Kulturës nga ku kemi gjetur edhe mbështetjen e tyre për ruajtjen e këtij objekti. Gjithashtu kemi bërë një kërkesë në Ministrinë e Kulturës ku është bërë një projekt i çatisë komplet që ata e kenë në sistemin e tyre për të parë se çfarë është e nevojshme në restaurimin dhe mirëmbajtjen e saj. Ne jemi duke pritur që edhe Ministria e Kulturës të ketë kontributin e saj për këtë objekt”-përfundon rrëfimin e tij për AA Mërgim Petrela.
Pasi largohemi nga kjo bisedë, 5 minuta me larg gjendet shtëpia tjetër monument kulture, ajo e piktorit të popullit Sali Shijaku, e cila është një banesë tipike tiranase e shek XIX. Kjo shtëpi, ka shërbyer edhe si spital gjatë Dytë Botërore. Si një nga ndërtesat më të vjetra në kryeqytet në stilin gjysmë Osman, me harqet e saj karakteristike, qëndron sot e kësaj dite madhështore në këmbë. Banesa rrethohet me mure qerpiçi, në të cilat hyhet nëpërmjet portave të mëdha dykanatëshe.
Ajo tanimë shërben për biznes, ku breda ka dhe bar dhe si monument kulture që është shumë e pëlqyer nga vizitorët e shumtë. Fatmirësisht edhe në këtë shtëpi na mikpriti djali i Sali Shijakut. Ai nuk hezitoi të na tregonte historinë e shtëpisë së tij. Këta trashëgimtarë, duke mos pasur asnjë përkrahje tjetër janë të detyruar të bëjnë edhe rolin e historianit. Djali i piktorit na tregon sesi kjo shtëpi ka qenë një nga pikat kryesore në kohën e luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në kohën e diktaturës për shërbimin e fshehtë. Ai ruan me fanatizëm çdo objekt të ngelur nga lufta. Shtëpia është kthyer në një nga destinacionet kryesore të turistëve.
E fundit që vizitojmë është shtëpia e Kazanëve, e vendosur disa metra larg urës së vjetër të Tabakëve. Ndryshe me prezantimin e të gjithë shtëpive, me këtë të fundit, prezantimi është i trishtë. Shtëpia e humbur në mes ndërtesave, përveçse nuk duket fare, nuk të lë as përshtypjen e një shtëpie të shpallur monument kulture. Të ngecur në fatin që mbajnë një mbiemër të madh dhe një shtëpie monument kulture, pronarët e saj nuk dinë as se si të veproje me të. Ndërsa ndërtesa tjetër që ka këtë status sot shërben për Bibliotekën Kombëtare. Fati u serviri këtyre shtëpive shumë sfida dhe ngjarje ne rrjedhën e historisë. Këto shtëpi sot na shfaqen si reliket e Tiranës së dikurshme, si ndërtesa që i rezistuan kohës dhe ndryshimeve, për ti pasur si trashëgimi kulturore dhe historike edhe në kohët moderne.
Post a Comment